Home

Tharja e kënetës së Maliqit, një synim i hershëm i Shtetit shqiptar për të përfituar tokë buke, kishte nisur qysh pas lufte. Qeveritë e mbretërimit të A. Zogut kishin dështuar në tharjen e kënetës me gjithë masat që kishin marrë. Kjo pasi nga fshatarët e zonës kishte ardhur një lloj “sabotimi”. Këneta shfrytëzohej për lëndë të parë e peshkim prej tyre. Pasi dështimi vazhdoi në kohën e luftës, ishte regjimi komunist që kërkoi të dilte si regjimi që me shpejtësi “thante këneta”. Në vitet 1945-1946 nisi puna me mjete primitive për të hapur kanalet kulluese. Në krye të punimeve ishin inxhinierët më të njohur që kishte vendi. Natyrisht do duheshin vite me të tilla mjete për të përfunduar tharjen e kënetës. Regjimi kërkonte të promovohej si rendi që bënte punime të mëdha. Liqeni i Maliqit ishte me një sipërfaqe tejet të madhe, e cila nuk mund të thahej për disa muaj. Në fund të prillit 1945 ishin marrë për të filluar tharjen. Më 5 maj 1946 me anë të një ceremonie filluan punimet për tharjen e kënetës së Maliqit (1). Koçi Xoxe ka mbajtur fjalën e rastit duke thënë se punimet do të mbaronin brenda afatit. Premtimi i kotë ishte dhënë se përurimi do të bëhej më 28 nëntor 1946. Mosplotësimi në kohë i tharjes së kënetës u shfrytëzua si kombinacion i rekomanduar nga jugosllavët për të sjellë procesin e nëntorit 1946, në të cilin u pushkatuan me skena makabre mesjetare teknikët më të mirë të asaj kohe në Shqipëri. Ky proces ishte përdorur si sebep për largimin e misionit amerikan nga Shqipëria. Me mbarimin e vitit 1946, qeveria komuniste duhet të provonte se e thante kënetën edhe pa specialistët e pushkatuar, të cilët ishin “sabotatorë”.
Pak muaj më vonë, në pranverë 1947 u hap kampi i Orman-Pojanit (Vliçisht). Qendra e kampit ishte në Vloçisht, por front pune kishte edhe në Nishavec. Në këtë mënyrë kemi nisjen e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit me të burgosur politikë.

Mars – Nëntor 1948

Në mars 1948 qeveria komuniste grumbulloi mbi 2 500 të burgosur nga burgje të ndryshme të vendit. Komandanti i kampit Tasi Marko përbënte një lloj garancie për mbarëvajtjen e punimeve, pasi ishte vëllai i Rita Markos. Punimet në Maliq ishin me disa faza, të kushtëzuara nga shirat stinorë. Ish i dënuari Beqir Ajazi shkruan:

“Enver Hoxha kishte përgatitur prej vitesh një sasi të madhe materialesh, kishte ngritur një kamp shumë të madh pune në fshatin Vloçisht të Fushës së Korçës, i cili mund të zinte deri në 3 000 veta brenda. Kështu që, në pranverë të vitit 1948, ai kishte mbledhur gati të gjithë të burgosurit politikë të tërë burgjeve të vendit dhe i kishte grumbulluar atje, me qëllim që të thante kënetën e Maliqit dhe të bonifikonte kështu fushën moçalore të Korçës. Për t’ia hyrë kësaj pune, Enveri kishte leverdi të madhe, sepse, në vend të mekanizmave të sofistikuara të kohës, që kushtojnë shumë dhe që harxhojnë shumë karburant, ai do të përdorte të burgosurit politikë, ashtu siç kishte bërë dhe modeli i tij Stalini, në kanalin Vollga-Don, paçka se do të linin kockat aty gjysma e tyre. Të ndërtoje një vepër të tillë, duke u dhënë punëtorëve 800 gram bukë të zezë dhe nga një lugë supë, kjo ishte një nga mrekullitë e sistemit socialist, që provonte epërsinë e tij mbi sistemin e vjetër dhe të kalbur kapitalist, ku shfrytëzohet njeriu nga njeriu!
Prandaj që në fillim të majit, qeveria kishte grumbulluar në kamp të Vloçishtit mbi 2 500 veta nga armiqtë e popullit dhe nga kriminelët e luftës”
Është mundur të dokumentohet një raporti i datës 1.7.1948 kur kampi ishte në Vloçisht, i nënshkruar nga nëndrejtori Jorgji Sako: “Urrejtja karshi të burgosurve ka qenë në lartësinë e duhur. Nuk është konstatuar as afrimi më i vogël” – shkruante nëndrejtori teksa theksonte se nuk kishin lënë asnjëherë pa punë të burgosurit.
Më 20.10.1948 një dokument i sekretarit të organizatës bazë të kampit bënte të ditur se vendodhja e kampit është në Pojan (2).
Makasen Bungo ishte një tjetër i ri i cili ka përshkruar në mënyrë letrare karakteristikat dhe përmasat e kampit të kënetës së Maliqit (3). Për brezat e sotëm ky përshkrim duket i pabesueshëm.

Prill – Nëntor 1949

Në pranverën e vitit 1949 rifilluan punimet për hapjen e kanalit që do të kalonte ujin e kënetës. Patër Zef Pllumin, një prej të dënuarve që ka lënë kujtime, e kanë çuar në këtë kënetë. Përkthyesi i famshëm Pashko Gjeçi, nëpunësi i lartë Nedin Kokona, etj, punonin aty. Sektori i punës ishte 70-80 cm. nën ujë, plot shushunja e bretkosa, kallami i kënetës shumë i fortë. Karrocat e drurit ishin të rënda para se të ngarkoheshin, e jo kur bëheshin me peshë, që nuk lëviznin prej vendit. Prej kanalit të madh i kanë çuar në Dunavec, rreth 20-25 km. larg (4).
Po ashtu, Sami Repishti ishte një ndër të burgosurit e burgut të Shkodrës. Sipas kujtimeve të tij, të burgosurit ishin vendosur në baraka të gjata dykatëshe, të ngjashme me stalla bagëtish. Çatia ishte prej teneqeje e muret me kallama të kënetës. Ishte ftohtë në dimër e vapë e tmerrshme në verë. Mungonin ekskavatorët, puna bëhej nga njeriu i zhytur në ujë të ftohtë, mes atij pisllëku të trashëguar ku ushunjëzat ishin përpara një gjahu të pafund njerëzor. Një roje i kampit i kishte qorruar një sy me cigare një të dënuari me origjinë armene. Repishti i përshkruan të burgosurit “kufoma lëvizëse”, “leckamanë të mbuluar me baltë” që po transportoheshin të lidhur me zinxhirë e litarë.

Maj – Nëntor 1950

Pas një pushimi punimet rifilluan në 15 maj 1950 me 550 persona dhe në fund të qershorit edhe 350 të tjerë. Punohej deri në brez me ujë, mes vështirësisë së kallamave e ushunjëzave. Transporti i baltës ishte shumë i vështirë. Punohej edhe për kanale dytësore që derdheshin mbi kanalin kryesor. Më 28.4.1950 Tasi Marko i besuari i udhëheqjes, emërohet sërish komandant i kampit. Gjatë gjithë vitit 1950 tasi ka qenë komandant kampesh në Maliq dhe në Peqin.
“Në punë për çdo ditë kanë marrë pjesë 1 068 të burgosur. Rendimenti i tyre ka qenë i mirë. Në një konferencë u vendos që ushqimet që u vijnë të burgosurve nga shtresa e lartë, t’u merreshin e t’u jepeshin të gjithëve. Kjo edhe për arsye se ata mbajnë qëndrim të keq duke mos dhënë rendiment në punë” – thuhej në raportin e datë 13.8.1948.
Për vitin 1950 ishin realizuar 111 000 ditë pune, duke bërë më shumë se 15 milionë lekë. Për këtë qëllim kishin punuar 900 të burgosur. Në raportin e datës 23.8.1950, për gjendjen në kampe e burgje thuhej se policët e kampit të Maliqit kishin përdhunuar gra të të dënuarve, ndërsa kishin pasur kontakte me femra imorale (5).
Jehona e kampit të vdekjes së Maliqit i kishte kaluar kufijtë e Shqipërisë. Në raportin e Qeverisë amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955, ndër të tjera thuhej:
“Midis deklarimeve të kategorisë së parë rreth kolonive penale, ajo e dhënë nga Skënder Deme, i cili kaloi 5 vjet në këto kampe para ikjes së tij në Greqi në prill 1951. Sipas tij deri në atë kohë kishte 10 burgje politike në Shqipëri, në të cilat 10 mijë veta jetonin në kushte tmerruese. Torturat e tyre dhe trajtimi çnjerëzor ishin përshkruar si të pabesueshme. Vetë Dume shërbeu në dy koloni ndëshkuese, në “kampin e vdekjes” në Vloçisht, afër Korçës ku gjendeshin 1 200 persona, kryesisht njerëz të ligjit, doktorë, studentë, klerikë katolikë e myslimanë, tregtar; dhe në kampin e Bedenit në Kavajë. Të burgosurit në kampin e parë punonin në projektin e shpallur të Maliqit, ndërsa ata të tjerët në kanalin kullues Peqin – Kavajë. Në kampin e vdekje në Vloçisht, të burgosurit zgjoheshin në ora 3:30 dhe fillonin punën në kanal në orën 6:00, ktheheshin në kamp pra 20:00. Disa nga shokët që ishin shumë të sëmurë për punë aktualisht varroseshin të gjallë në kanal, midis këtyre ishin edhe prifti Josif Papamihali – kryetari i kishës unite në Korçë, nënkolonel Sulejman Vuçiterna, hoxha Qazim Melçani, nënkolonel Tefik Hoxha, Riza Qako, Jaçe Zleusha, Luigj Luli, Ali Elezi dhe të tjerë. Për arsye të një thyerje rregulli, një student u lidh nga rojet e burgut në një kolonë dhe u la aty 72 orë. Kampi në liqenin e Maliqit mund të preket si një shembull tjetër që tregon sesi kalojnë të burgosurit politikë në Shqipëri. Të burgosurit në këtë kamp janë organizuar në 12 brigada pune, secila e përbërë nga 120 – 140 burra. Secila përbëhet nga 3 kompani dhe secila prej 3 skuadrash. Personeli që komandon njësitë e ndryshme përbëhet nga shokët e tyre që quhen të dëmshëm nga komandanit i kampit, megjithëse çdo brigadë është nën mbikëqyrjen e fortë të një oficeri të policisë. Të burgosurit banojnë në baraka dhogash, me një brigadë në secilën barakë. Ato nuk janë të ndara në dhoma, gjatë mureve janë dy rreshta koçekësh me dy krevate, njëri mbi tjetrin ku flenë të burgosurit. Shteti nuk jep ndonjë mbulesë dhe ata të burgosur që nuk kanë, duhet të flenë ashtu siç janë mbi kotecin e zhveshur. Barakat nuk janë të mbrojtura prej kohës. Çdo të burgosuri i kanë dhënë vetëm një palë rroba pune të përbërë nga një pallto, pantallona dhe një këmishë, të cilat shpejt grisen se puna e të burgosurve ka të bëjë me tharjen e kënetës së Maliqit dhe duhet që shumicën e kohës të punojnë në ujë. Nëse i burgosuri nuk ka rroba të tija për t’u ndërruar pas pune, dihet të mbetet me veshjen e punës, ashtu i lagur. Si rregull punojnë 10 orë punë në ditë, nëse nuk shtohen me urdhër të komandantit të brigadës. Në gërmimin e kanalit për tharjen e liqenit të Maliqit, shumica e të burgosurve janë zakonisht në ujë që arrin deri në gjunjë, e disa herë deri në brez. Në kundërshtim me këtë kusht, puna vazhdon pa marrë parasysh kohën ose stinën e vitit. Një rrezik tjetër i punës, është numri i madh i shushunjave në kanal, që sulmojnë të burgosurit. Si rezultat, shumë të burgosur sëmuren dhe shepsh rreth 150 prej tyre kishin nevojë mjekësore të përditshme. Vetë doktori i kampit është një i burgosur përjetë. Megjithëse është doktor i mirë, ai nuk ka as veglat dhe as barnat e nevojshme. Veç skenës së punës së rregullt, që fillon nga ora 4:00 dhe përfundon në orën 16:00, me dy orët që nevojiten për ecja nga barakat në punë, puna shpesh vazhdon për 1 ose dy orë më shumë. Pushimi jepet 3 herë në ditë. Racioni i bukës është 500 gr., një përzierje gruri dhe thekre, zakonisht e papjekur që u jepej në drekë. Ushqimi i zier u jepet vetëm për mëngjes dhe darkë. Zakonisht përbëhet nga një supë uji me makarona, fasule ose kunguj. Çdo i burgosur duhet të marrë 100 gram mish në ditë, megjithëse kjo ndodh rrallë. Kohë pas kohe, të burgosurit lejohen të marrin pako me ushqime për të shtuar dietat e tyre.” (6)
Të dënuarit që kishin punuar për hekurudhën Peqin – Kavajë, Urën e Bonës, kishin përfunduar në Orman – Pojan (Vloçisht) të Korçës për të vazhduar tharjen e kënetës së Maliqit. Mbi bazën e këtij kampi u krijua Kampi Nr. 1 (Reparti 301, më vonë) në Potdorie. Më 1951 mbaruan punimet e Maliqit.

 
1) “Bashkimi”, 7 maj 1946.
2) AMPB, F. 62, V. 1948, D. 111.
3) Bujar Leskaj “Muzat e qëndresës I”, Tiranë 2011.
4) Zef Pllumi “Rrno vetëm për me tregue”, Tiranë 1995.
5) AMPB, F. 50, V. 1950, D. 393.
6) AQSH, F. 14/AP. Strukturë, V. 1955, D. 176.

 
Kastriot Dervishi, “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komunist”, ISKK, Tiranë 2015, f. 132-136.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s