Home

Genrich Grigor’evic Yagoda lindi në Rybinsk më 1891 dhe ishte i biri i një artizani hebre. Nga fundi i viteve ’90, u zhvendos së bashku me familjen për në Niznij Novgorod. Prej vitit 1904 ju përkushtua lëvizjes revolucionare, fillimisht duke punuar në një tipografi klandestine e më tej duke luftuar në kompaninë e Sormov-it. Nga viti 1907 deri më 1912 u bashkua me një grup anarkist dhe për disa kohë jetoi në ilegalitet. Në fillim të vitit 1912 u arrestua dhe u internua në Simbirsk të Siberisë. U amnistua në vitin 1913 dhe u zhvendos në Shën Pietërburg, ku filloi të punonte në arkën e spitalit të ofiçinave Putilov.
Në vitin 194 u martua me një kushërirën e vet, Ida Avernach, mbesa e bolshevikut Jakov Sverdlov, dhe kështu filloi të frekuentonte rrethet bolshevike.
Mori pjesë në revolucionin e Tetorit dhe u bë pjesë e Ceka-s, trupës policore sovjetike krijuar nga Lenini dhe Dzerzinskij. Në vitin 1923 bëhet zëvendës i vetë Dzerzinskij-t. Pas vdekjes së këtij të fundit në vitin 1926, bëhet zëvendës i pasardhësit të tij, Vjaceslav Menzinskij-t, i cili u sëmurë rëndë (më vonë Jagoda do të akuzohej se e kishte helmuar).
Në këtë pozicion, Jagoda ishte një ndër organizatorët kryesorë të likuidimit dhe internimit masiv të kulakëve, në vitin 1930/31, që përfaqësonte dhe fazën e tretë të luftës së bolshevikëve kundër botës fshatare. Luftë që u nis nga Lenini më 9 gusht 1918, i cili dha urdhrin: «Nisni një terror masiv dhe të egër kundër kulakëve, priftërinjve dhe rojeve të bardha; mbyllni të gjithë elementët e dyshimtë nëpër kampe përqendrimi në periferi të qyteteve.»

Bota e bujqësisë, që përbënte 85% të popullsisë ruse, ishte haptazi kundërshtare e politikave të komunistëve në pushtet, dhe kjo ishte arsyeja e shtypjes që vazhdoi dhe në vitin 1920/21.
Shtypja ishte e tmerrshme. Kundër fshatarëve u përdorën formacione të mëdha ushtarake, të pajisura me tanke, aeroplanë dhe gazra toksik. Por lufta nuk përbëhej vetëm nga aksione ushtarake: popullata civile u bë viktimë e dhunës së egër, u internuan distrikte të tëra «rebele», duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.

Në fund, qëndresa fshatare u mbyt në gjak.
Në vitin 1928, Stalini nisi fazën e dytë të ofensivës kundër klasës fshatare. Objektivi ishte demonizimi dhe më pas shfarosja e kulakëve, që përbënin 5% të popullatës që merrej me agrikulturë. Të tillë, kulakë, cilësoheshin ata që kishin dy apo tre lopë dhe rreth dhjetë hektarë tokë që i punonin familjarisht. Të ardhurat e tyre nuk tejkalonin me më shumë se gjysmë ato të fshatarëve të varfër, por prodhonin 20% të të korrave të grurit. Pra, kulakët përfaqësonin elitën e agrikulturës, pasi ishin prodhues të aftë për nisma, organizim dhe përparim.
Numri i të vrarëve kaloi pesë milionët.

Faza e tretë, në të cilën pikërisht Jagoda rikrijoi atmosferën e «komunizmit të luftës», kishte për qëllim kolektivizimin e bujqësisë, pra robërimin e plotë të asaj që kishte mbetur nga shtresa e fshatarëve.
Në zonat bujqësore u dërguan 75 000 aktivistë të tjerë bolshevikë. Këta, të mbrujtur me urrejtje për kulakët dhe pronën private, nisën konfiskimin e tokave dhe të punishteve artizanale bujqësore. Rezultati ishte një zi buke, në të cilën 1/3 e popullsisë së Kazakistanit vdiq nga uria. Fshatarët u përpoqën të rezistonin me të gjitha format, rebelime, manifestime të armatosura, vrasje, arritën nga dëshpërimi dhe të thernin pothuajse gjysmën e kopeve.
Pas një zbutje të përkohshme (që zgjati shumë pak), regjimi stalinist e përshpejtoi kolektivizimin, deri sa u përmbyll në vitin 1934. Njëzet milionë sipërmarrjet individuale u grupuan në 240 000 kooperativa, që praktikisht ishin çifligje me bujkrobër, në të cilat fitimi ekonomik ishte zero.
Një burokraci e emëruar nga partia dhe që nuk ishte në lartësinë e detyrës drejtonte të gjithë punën në ferma. U vendos kontrolli i plotë i botës së bujqësisë, nga mbjellja te korrja, të paktën teorikisht, pasi në të njëjtën kohë u zhvillua korrupsioni, tregu u zi dhe e morën shtrirje të gjerë vjedhjet. Agrikultura ruse u rrënua përfundimisht.
Ndërkohë Ukraina, hambari i vërtetë i Bashkimit Sovjetik, vijonte të ruante një identitet të fortë kombëtar, i lidhur ngushtësisht me shpirtin e bujqësisë, kjo në sytë e Stalinit përbënte një problem serioz. «Problemi i kombësisë – pohonte- është në thelb një problem që lidhet me fshatarësinë». U vendos të zgjidhej njëherë e mirë, me anë të një arme të frikshme: shkaktimin e zisë së bukës. Kjo ishte faza e katërt dhe përfundimtare e eliminimit të botës fshatare.

Dekulakizimi dhe kolektivizimi në Ukrainë u kryen me një dhunë të jashtëzakonshme, si pasojë prodhimi bujqësor ra me një të tretën. Në korrik të vitit 1932, Stalini vendosi që nga Ukraina do të merreshin shtatë milionë tonelata drithë, që ishte e barabartë me sasinë e plotë të vitit 1930 përfshirë dhe kuotat e drithit për farë, që do të ishin të nevojshme për mbjelljet e vitit pasardhës. Ishte e barasvlershme me një dënim me vdekje. Organizimi i detajuar i dha zisë dhe terrorit në Ukrainë karakter gjenocidi, i dyti i shekullit të kaluar, pas atij të armenëve dhe përpara holokaustit.
Jagoda mori pjesë në mënyrë aktive, duke u bërë një prej kriminelëve më të mëdhenj komunist që historia mban mend. Mjaftojmë të kujtojmë që qytetet u rrethuan me trupa ushtarake për të ndaluar hyrjen e fshatarëve. Nga fundi i dimrit filluan vdekjet në masë dhe në pranverë turma njerëzish të uritur dolën nga fshatrat me synimin të hynin në qytete. Këto masa njerëzish u ndalën nga breshëritë e mitralozave. Për të mos rënë nën plumbat komunistë u kthyen mbrapa, në kasollet e tyre, dhe filluan të ushqeheshin me mbeturina, u shfaqën fenomene kanibalizmi, arritën sa të hanin fëmijët e tyre, deri sa në fund nuk ju ngeli gjë tjetër veçse të shtriheshin e të prisnin vdekjen. Shifrat janë të frikshme, flitet për vdekjen e 20% të fshatarësisë ukrainase, rreth pesë milionë njerëz, të cilëve u shtohen dhe dy milionë, më së shumti ukrainas, të vdekur në Don dhe Kuban. Në pesëmbëdhjetë vitet e para të regjimit sovjetik, nga 1918 deri në vitin 1933, përllogariten 28 milionë të vdekur në fushatat e ndryshme bolshevike.
Më vonë, Jagoda u bë anëtar i GPU (shërbimet sekrete që zëvendësuan Ceka-n) e më pas Shef i Komisariatit të Popullit për Çështjet e Brendshme (NKVD, pararendësja e famëkeqes KGB), duke qëndruar në detyrë nga viti 1934 deri më 1936.
Me të gjitha gjasat, ishte organizatori i vrasjes së Sergei Kyrov-it, më 1 dhjetor 1943, ngjarje që shënoi nisjen e spastrimeve të mëdha të Stalinit.
Në gjysmën e parë të viteve ’30 ju përkushtua planifikimit të sistemit të gulagëve, në këtë kontekst, ndërtimit të kanaleve Deti i Bardhë-Deti Baltik dhe kanalit Moskë-Vollgë.
Jagoda mbrojti me forcë idenë se ishte i nevojshëm transferimi me forcë i mijëra të burgosurve politikë, me qëllim shfrytëzimin e pasurive të veriut duke përdorur krahun e punës të vetë të burgosurve. Internimi do të ishte afatgjatë, madje dhe pas përfundimit të dënimit, njerëzit do të duhej të bindeshin të qëndronin në veri për të populluar ato krahina.

Mbikëqyri marrjen në pyetje të të pandehurve në procesin e parë të Moskës, në gushtin e vitit 1936, i cili përfundoi me pushkatimin, ndërmjet të tjerëve, të Lev Kamenev, Grigorij Zinov’ev dhe figurave të tjera kryesore të “opozitës së majtë” në Partinë Komuniste. Prokuror ishte famëkeqi Anderi Vysinskij.
Menjëherë pas kësaj, me urdhër të Stalinit, u shkarkua nga detyra me akuzën për mungesë vigjilence ndaj “grupit trockisto-zinovievist” dhe u zëvendësua nga Nikolaj Ezov.
U arrestua më 3 gusht 1937 dhe u dënua gjatë procesit të katërt dhe të fundit të Moskës. U pushkatua më 15 mars 1938.

 

Emmanuel Bartoli

Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s