Kur flitet për antisemitizëm, pothuajse vetvetiu mendja shkon te nazizmi apo ndonjë tip të djathte. Por a duhet të jetë kështu? Jo, ekziston një antisemitizëm i majtë por që e kanë fshehur poshtë tapetit të historisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për persekutimet antifetare, përfshirë dhe atë hebraike, në Rusinë e sovjetëve apo të Stalinit. Ka një antisemitizëm të majtë, shumë më të vjetër dhe shumë të rrezikshëm, të cilin shumica e studiuesve janë përkujdesur mos ta venë në dukje.
Një rrugë të ndryshme ka zgjedhur historiani francez Michel Dreyfus, ekspert në lëvizjet punëtore, që ka publikuar një ese të guximshme: Antisemitizmi majtas në Francë, Historia e një paradoksi (1830-2016). Studimi merr në shqyrtim rastin francez, që është shumë domethënës, sidomos nëse kemi parasysh që në Francë kanë jetuar shumë prej socialistëve utopikë më të famshëm. Pikërisht në radhët e tyre, zbulohen një numër i madh antisemitësh.
Pas rënies së Napoleonit, në Francë nisi një periudhë gjallërie ekonomike dhe në sistemin e sipërmarrjes apo atë bankar nuk mungonin emrat hebraik. Kjo kishte pak lidhje me gjendjen ekonomike të pjesës më të madhe të hebrenjve në Francë. Por kaq u mjaftonte shumë prej socialistëve që të nxirrnin dhe rifreskonin stereotipat më të këqij mesjetar për fajdexhiun çifut. Sulmi ndaj kapitalizmit dhe ndaj hebrenjve u bë e njëjta gjë. Piere Leroux (1797-1871), që ndoshta është krijuesi i termit “socializëm”, në De la Ploutocratie (1843) shprehej se: «Kapitalistët më të mëdhenj në Francë… Çifutë që nuk janë shtetas francezë por agjitatorë kosmopolitanë». Shënjestra e tij kryesore ishte bankieri James Rothschild (1792-1868), por shumë shpejtë e zgjeroi objektivin e urrejtjes te të gjithë bashkëfetarët e tij. Shfajësohej duke thënë se nuk sulmonte çifutët si individë por «shpirtin hebraik, shpirtin e përfitimit, të pasurisë, të fitimeve».
Shkrimtarja e famshme George Sand, e lidhur me të, bëri të vetat dhe propagandonte të njëjtat teza, madje shkroi dhe një pjesë teatrale më 1840, Les Mississipiens. Autorja vë në skenë personazhin e një financieri hebre, Samuel Bourset, dhe e përshkruan si një qenie të pështirë. Nuk ishin raste të izoluar. Stereotipat anti çifut gjenden të fuqishëm dhe në shkrimet e Charles Fourier (1772-1837). Në Nouveau Monde industriel, i hakërrehet Revolucionit francez pasi emancipoi hebrenjtë. Gjendje që ai do të parapëlqente të zgjidhej me shpronësime proletare dhe punë të detyrueshme: «Çdo qeveri e kujdesshme ndaj moralit duhet të detyrojë çifutët të kalojnë në prodhim, të mos i pranojë më tepër se në proporcionin e një përqindëshit: një familje tregtare, çdo 100 familje bujqësore apo zanatçinjsh».
Edhe Pierre-Joseph Proudhon (1809-1865), një prej etërit e anarkizmit, shfaqet i përfshirë në konceptet anti hebraike: «Çifutët, duhet një ligj kundër kësaj race që moleps çdo gjë, që futet kudo por nuk shkrihet me pjesën tjetër të popullit. Duhet kërkuar dëbimi i i tyre nga Franca, me përjashtim të individëve martuar me francezë; të mbyllim sinagogat, të mos merren në punë, dhe në fund të arrihet në eliminimin e këtij kulti». Një program që nuk do të stononte në fjalimet hitleriane.
Sigurisht, rasti i famshëm akuzave false ndaj ushtarakut hebre Alfred Dreyfus shkaktoi pozicionime të ndryshme ndaj hebraizmit. Eseja tregon se paragjykimet anti hebrenjve mbeteshin të forta. Të gjithë kujtojnë J’accuse-ën e Emile Zola, por duhet thënë se shumë socialistë qëndruan indiferentë ndaj çështjes. Për shembull, Partia Punëtore Franceze dhe organet e saj të shtypit luhateshin mes indiferencës dhe armiqësisë ndaj Dreyfus-it, aq sa ndërhyri dhe socialisti liberal Adolphe Tabarant (1863-1950) duke u bërë thirrje shokëve të mos binin pre e «antisemitizmit idiot».
Gjërat nuk kishin ndryshuar as në prag të Luftës së Dytë Botërore. Anëtarësia e Seksionit francez në Internacionalen Punëtore akuzonte qeverinë franceze se kundërshtonin Hitlerin vetëm sepse ishin të shitur te «internacionalja çifute». Ludovic Zoretti (1880-1948) shprehej: «Populli francez nuk dëshiron të shikojë zhdukjen e një qytetërimi dhe sakrifikimin e miliona njerëzve për rehatinë e 100 000 çifutëve në Sudete». Dhe pas lufte nuk munguan rastet e përzierjeve mes qëndrimit politik kundër Izraelit dhe qëndrimit anti hebraik.
Pra, duke lexuar esenë e Michel Dreyfus-it lind nevoja për ristudimin e antisemitizmit, duke përfshirë dhe atë për të cilën e majta mbyll sytë.
Matteo Sacchi, «Il Giornale»
Përkthimi MVSK