Home

Luan Dode.


Nga moria e ngjarjeve dhe masave të marra për bashkim vëllazërimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, të cilat do të kërkonin më shumë se një vëllim për t’u shtjelluar, shumica si fatkeqësi e të tjera për humor të hidhur, po përmendim disa fare pak prej tyre. Fill pas mbarimit të luftës, sado i vogël të ishte një repart partizan që kalonte rrugës, do dëgjoheshin njëra pas tjetrës dy këngët simotra, «Druzhe Tito» dhe «Bijt e Stalinit jemi ne».
Gjatë atyre viteve flamuri kombëtar ishte në çdo rasti shoqëruar nga ai i ish-Jugosllavisë. Pak ditë pas Çlirimit, në Shkodër u ngrit flamuri tringjyrësh i Jugosllavisë të cilit i ishte ngjitur në mes një yll i kuq.
Ironia e kësaj ngjarjeje qëndron në të vërtetën historike se siç shkruajnë dy historianë serbë – në të kaluarën malazezët kishin derdhur aq gjak për Shkodrën, por më kot. Kurse tashti, luftëtarët e UNÇ të Shqipërisë po luftonin për të “çliruar” Malin Zi, ku hiqej flamuri shqiptar. Për ngritjen e flamurit jugosllav në Shkodër, u zgjodh një pikë që zotëronte qendrën e qytetit, kumbonarja e kishës françeskane. Dy partizanë që ishin ngarkuar për këtë punë, e vendosën flamurin jugosllav në atë shtizë ku valëvitej flamuri shqiptar, sepse për habi të tyre, në kumbonare nuk kishte pasur kurrë dy shtylla flamujsh. Flamurin e ri shqiptar, të cilit po ashtu i kishin damkosur një “yll partizan” mbi shkabën dykrenore, e vendosën në anën tjetër, ku gunga e kishës pengonte pamjen kryesore. Porsa u hapën shkollat, erdhën njerëz për të mësuar të këndohej në to himni i flamurit të huaj.
Ishte një nga kapitujt më të rëndë të tragjedisë, shkatërrimi sistematik i elitës intelektuale, mposhtja e inteligjencies shqiptare dhe thyerja e frymës kombëtare, që nën etiketën e luftës kundër nacionalizmit e shovinizmit zhvilloheshin gjithë një sipas interesave jugosllave e për të cilat Hoxha do të akuzojë më vonë “trockistet në radhët e PKSh-së” [K. Xoxen me shokë-LD] duke thënë se “intelektualët konsideroheshin nga disa komunistë si armiq”.
Zhvillohej një gjueti shtrigash ndaj intelektualëve që kishin shkruar e folur për Kosovën; denigroheshin, dënoheshin me burgime apo liheshin në hije.
Pa pasur për qëllim skedimin e radhitjen, por vetëm për ilustrim, po përmendim vetëm pak nga figurat fisnike. Vasfi Samim Visoka, figurë poliedrike-shkencëtar, sociolog, publiçist etj. – me një krijimtari jashtëzakonisht të pasur në atdhe e në disa vende të tjera, u dënua më 1945, në Gjyqin Special kundër kriminelëve të Luftës, për botimin dy vjet më parë, më 1943, të librit Nëna Kosovë.
Beqir Haçi, po ashtu me një prodhimtari shumë të madhe, i arrestuar më 1946 dhe i dalë në gjyq më 1949, është dënuar me 101 gjashtë vjet burg. Veç artikujve shkruar për Kosovën, ne 1942 kur punonte si inspektor arsimi i qarkut të Dibrës së Madhe, shkroi poezinë «Kanga e Dibrës së Madhe» që u kompozua në «Himni i Dibrës së Madhe».
Besim Qorri u dënua me privim lirie për librin e botuar ne Tiranë më 1944: Shqipnia e vërtetë studim historik dhe etnografik).
Sami Repishti u dënua më 1947 me akuzën e parë se kishte “dëmtuar miqësinë me Jugosllavinë e Mareshalit Tito”, sepse qysh në pranverën e 45-s kishte mbrojtur të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Një nga shkaqet e dënimit dhe të denigrimit të mjeshtrit te madh të prozës shqipe, Mitrush Kutelit, bëhej edhe «Poemi Kosovar, i tij. Kurse Lasgush Poradecit, gjatë redaktimeve jo vetëm i deformohej «Hymni Kosovar», por edhe në poemën e re «Mbi ta», emri “Kosova” zëvendësohej gjithkund me “Malësia”.
Hamit Kokalari, autori i monografisë Kosova – djepi i shqiptarizmit, shpëtoi rastësisht kur, në ditët e Çlirimit të Tiranës, komunistët vranë dy vëllezërit e tij në bimsat e hotelit «Bristol». Në denigrimin e përmasave të mëdha të figurës së Fishtës mori pjesë personalisht Diktatori, në emër të bashkim-vëllazërimit me serbët, kur shkruante:
Këto hallka të shëndosha që lidhin dy popujt nuk mund t’i shkëpuste as …, as vjershat e poetit të imperializmit dhe agjentit italian, shovinistit At Gjergj Fishtës…

Harrimi i vlerave kombëtare ishte thuajse i programuar. Kremtimi i 28 Nëntorit më 1945 u bë nën parullat e «28 e 29 Nëntorit». Në “Mesazhin që Kryeministri i drejtonte Popullit Shqiptar nga Radio Tirana”, botuar në Bashkimi, si dhe në kryeartikullin e saj jashtëzakonisht të shkurtër, shkruar nga Lame Kodra (S. Malëshova), anëtar i Byrosë Politike të Partisë, problemi shtrohet në kuadrin klasor dhe nuk zihet në gojë asnjë nga figurat shqiptare. Kurse në fjalimin e rastit të mbajtur në sheshin Skënderbej nga Ymer Dishnica (i cili duke mos bërë pjesë në udhëheqjen e Partisë nuk ishte i orientuar), pëmendet I. Qemali. Për të justifikuar fotografinë e Hoxhës, gazeta botonte edhe ato të Skënderbeut e të Qemalit.
Në nëntor 1946, në kryeartikullin «28 nëntori 1912» të Bashkimit përmendet vetëm figura e pashmangshme e Skënderbeut. Kontributi parësor i shqiptarëve të “përtejkufirit” në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare do të harrohet për shumë e shumë vite.
Një gërryerje në themel të Kombit bëhej në shkollat e Shqipërisë. Njohuritë mbi historinë e gjeografinë e Kosovës e viseve shqiptare në Jugosllavi shtjelloheshin në mënyrë të tillë sikur këto treva s’kishin të bënin me kombin shqiptar. Për letërsinë, as që mund të bëhet fjalë.
Për gjeneratat e nxënësve e të studentëve të viteve 1945 – 1981, këto vise mbetën diçka e huaj, si trevat e tjera të Gadishulli Ballkanik, gjendje që u reflektua si në përgatitjen gjatë atij harku kohor të inteligjencies në Shqipëri e po ashtu në ndërgjegjen kombëtare të popullsisë përgjithësisht. Kërkohej të goditej për vdekje uniteti mbarëkombëtar.
Në sistemin arsimor, frëngjishtja, e vetmja që kish mbetur si gjuhë e huaj, duke filluar nga viti shkollor 1945-1946 zëvendësohej me serbo-kroatishten dhe me rusishten e cila mendohej të “mbetej fakultative”. Serbo-kroatishtes i kishte dalë fati për t’u konsideruar në Shqipëri gjuhë e parë e huaj. Edhe një shembull: Udhëheqësit shqiptarë e kishin siguruar
Dizdareviçin se librat në të cilët gjendej shprehja “Kosova-djepi i shqiptarizmiť” do hiqeshin nga qarkullimi.

Qeveria Jugosllave kishte zgjidhur edhe problemin e izolimit diplomatik të Shqipërisë. Hoxha, i cili në rolin e ministrit të jashtëm drejtonte një diplomaci të paqenë, në një Plenum partie në prill 1946 njoftonte:
Jugosllavët na kanë propozuar që kudo që ata kanë një përfaqësi diplomatike të kemi edhe ne një përfaqësues tonin … për t’i ndihmuar ata … për të bërë punën tonë. Ne e kemi pranuar këtë propozim.”
Nuk kishte fushë të jetës në Shqipëri ku të mos mbizotëronte apo të paktën të mos ndihej ndikimi jugosllav. Nuk kishte institucion administrativ (përfshirë Kryeministrinë e ministritë), gjyqësor, policor, ushtarak apo ndërmarrje të rëndësishme, ku të mos ishte të paktën një këshilltar ose instruktor jugosllav. Nuk kishte shkollë të mesme, ku të mos gjendej një mësues jugosllav. Ironia ishte e pranishme kudo: për Teatrin «Kosova», i cili emrin e nderuar e gëzonte prej kohësh, qysh në fillim u dërgua një aktor serb, si organizator dhe si regjisor.

Rroftë Tito” shkruhej nëpër mure, në krah me “Rroftë Enveri”
Me një fjalë nuk kishte përmbi tokë njerëz më të mirë se “popujt e Mareshalit”, siç i quante Enveri sllavët e jugut. Një mosmarrëveshje me ta e vinte shqiptarin në pozitë të vështirë ndaj shtetit të vet. Po përmendim, brenda Partisë, vetëm dy nga rastet e panumërta. Tipike ishte vetëvrasja dhe epitetet prej tradhtari të vëna Nako Spirut, anëtar i Byrosë Politike të KQ të Partisë dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, i cili, duke mos i pranuar si të bekuara marrëveshjet me Jugosllavinë, ishte nga ata që u rebeluan e që kërkonin një zhvillim të pavarur të Shqipërisë. Ai akuzohej nga të dyja palët se ishte për një orientim perëndimor të Shqipërisë”, për “zhvillimin e tregtisë dhe marrëdhënieve ekonomike me Italinë”. Ai ishte njëherazi kundër bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë. Mehmet Shehu, i cili ishte shprehur kategorikisht kundër një bashkimi të tillë, u kritikua si bashkëpunëtor i Nako Spirus, u përjashtua nga Komiteti Qendror dhe u shkarkua nga detyra e shefit të Shtatmadhorisë Shqiptare.
Kupola komuniste e informonte rregullisht udhëheqjen jugosllave mbi zhvillimet kryesore në vend, në mënyrë që kjo e fundit të kishte mundësi të kontrollonte ecurinë e punëve në PKSh-në dhe të jepte udhëzimet e nevojshme. Për shembull, Nesti Kerenxhi, anëtar i KQ të Partisë dhe zëvendësministër i punëve të brendshme, në një radiogram që dërgonte nga Beogradi, në mars 1946, transmetonte vërejtjet e Rankoviçit për Plenumin V të KQ të PKSh-së të zhvilluar një muaj më parë.
Gjatë atyre viteve, gjendja u acarua aq shumë sa që Kosova Djepi i shqiptarizmit” dhe “Balli i Shqipnis” – kur përmendej në kuptimin kombëtar të fjalës, kthehej në një emër i mallkuar për Tiranën zyrtare. Dënohej kushdo që kërkonte bashkimin e saj me Shqipërinë, apo kërkonte të ngrihej problemi ardhmërisë së Kosovës, qoftë dhe shqyrtimi i statusit të saj brenda Jugosllavisë. Kërkesa të tilla shkaktuan pushime nga puna, internime, burgime, dënime me gjyq dhe vrasje, me akuza si “dëmtimi i miqësisë me Jugosllavinë e re të Mareshalit Tito”, akoma më troç, “është kërkuar bashkimi i Kosovës Shqipërinë”.

Sipas psikologjisë së vet, Hoxha kërkon të bindë shqiptarët se e drejta për t’u prononcuar për Kosovën dhe detyra për t ja dhënë Shqipërisë, i përkiste Titos:
Tito «marksisti» e bëri çështje të madhe problemin e krahinäs Venecia-Xhulias… kurse … çështjen e Kosovës, që ishte me të värets shqiptare, jo vetëm nuk e ngriti, për t’ia dhënë Shqipërisë që i përkiste por bëri çmos që të mos flitej për të.
Një nga ata që nuk fliste ishte vetë Enveri, i cili, gjatë atyre viteve nuk i ka përmendur asnjëherë publikisht shqiptarët që jetonin në Jugosllavi. Kurse Kosovën ka guxuar ta përmendë vetëm një herë në një kuadër historik mesjetar, për të argumentuar miqësinë shekullore, pra vëllazërimin e bashkimin me jugosllavët, kur thotë: “populli ynë ka luftuar së bashku me popujt sllavë të Jugut kundër Turqisë në Kosovë e gjetkë”. Kur patriotët shqiptarë kërkonin Kosovën, udhëheqja komuniste e Tiranës organizonte nëpër qytete të Shqipërisë manifestime në përkrahje të rivendikimeve tokësore që Jugosllavia bënte për Triesten, Istrian, Karinthinë etj. Në gazetën Bashkimi janë të panumërt artikujt, lajmet e informacionet për këto krahina, sidomos gjatë periudhës prill 1946 – qershor 1947.
Në një deklaratë që ka bërë kur ishte në Beograd, në korrik 1946, Enveri thoshte: “I gjithë populli shqiptar mendon se … shkëputja e Julinska Krajnas .. ka qenë një padrejtësi e madhe që iu bë Jugosllavisë nga Traktati i Paqes i Versajës”. Në telegramin e urimit drejtuar Titos në shtator 1947, përshëndeste “me gjithë shpirt bashkimin e Polas, të Istrias dhe të bregdetit slloven me mëmëdheun, me Jugosllavinë“, ndërsa Bashkimi botonte në faqen e parë artikullin me titull “Rrofshin Pola, Istria dhe bregdeti Slloven të lirë”.
Tregon një nënshtrim të paimagjinueshëm fakti që e përditshmja Bashkimi të botonte në kryeartikull vlerësime fyese të Titos për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilët, sipas tij, “në të kaluarën ishin përdorur gjithnjë për të krijuar grindje në Ballkan”.

Në periudhën e pasluftës, deri në prishjen me jugosllavët, kosovarët gëzojnë imazhin e njerëzve reaksionarë, kolaboracionistë, me prirje regresive dhe armiq të përbetuar të afrimit shqiptaro-jugosllav. Rrjedhimisht, çdo përpjekje e tyre për të kundërshtuar diktaturën serbe do të etiketohet irredentizëm. Goditja e tyre është në interes të të dy shteteve. Është kjo një kohë veçanërisht e rëndë, kur shumë nacionalistë ekzekutohen, me gjyqe pa gjyq, dhe kur eliminimin e tyre e mbulon një heshtje e plotë. Nga ana tjetër brenda shtetit shqiptar elementët jugosllavë – kryesisht serbë e malazezë – bëjnë ligjin për kosovarët e vendosur në Shqipëri. Pas prishjes me Beogradin, duke kërkuar justifikime dhe duke iu ankuar kushedi kujt, Hoxha pohon të vërteta, të njohura e të panjohura, që tregojnë se si jugosllavët ishin padronë kudo në Shqipëri, se si shqiptari në shtëpinë e vet trajtohej si skllav nga jugosllavi, si dhe gjendjen e vet prej vasali:
Ne nuk dimë si ishte rregulluar ndihma sovjetike që na vinte nëpërmjet Jugosllavisë. Ata … e konsideronin ushtrinë tonë… si një armatë jugosllave…tamam sikur jugosllavët të ishin drejtuesit e vërtetë të saj. Njerëzit jugosllavë silleshin ndaj shqiptarëve në hekurudhë si padronët e metropoleve që kanë vënë indigjenët të ndërtojnë hekurudhat në kolonitë e Afrikës.
Indigjenët që ndërtonin në atë kohë hekurudhën Durrës Elbasan, ishin të rinjtë vullnetarë të Shqipërisë. Me t’u vënë në rresht për të shkuar në frontet e punës apo në mensë, që në hapat e para fillonin këngën: “Adin dva, adin dva/Omlladinska Titova” (Një dy, një dy/Rinia e Titos). Vetëm në kuadrin e një vasaliteti të plotë mund të pranohet e drejta e Titos – akoma me ironike edhe e Zllatiçit – për të akuzuar udhëheqjen shqiptare për qëndrime të ndryshme, si për shembull për gjynahun e një linje të dytë kundërjugosllave në gjirin e saj. Gjendja personale prej vasali vihet re edhe në rastet kur duhet të justifikojë veprime të ndryshme. Për shembull, për futjen e Liri Belishovës si anëtare në Byronë Politike të KQ të Partisë dhe të Mehmet Shehut si kandidat, ishte këshilluar me “shokët huaj”, “me Çuvakinin dhe Gjergjian”.
E thënë ndryshe: Udhëheqja komuniste e Tiranës, në emër të internacionalizmit, një palë çelësash të shtëpisë ua kishte dorëzuar vëllezërve jugosllavë. Paradoksi hasej sa herë që pushtetarët trumpetonin se i kishin sjellë Shqipërisë pavarësinë e vërtetë, kur kjo jetonte nën varësinë e plotë të Jugosllavisë motër.
Gjendja ishte një sundim jugosllav, pa pushtim.

Luan Dode, “Kosova në qëndrimet e Enver Hoxhës”, Botimet Medaur.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s